Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, sot ka pritur në takim ish-administratorin e Komunës së Lipjanit, z. James Rogan, i cili menjëherë pas luftës ka shërbyer si administrator, i caktuar nga përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara, z. Bernard Kouchner.
Gjatë takimit e rikujtuan periudhat pas përfundimit të luftës, kur Lipjani dhe mbarë vendi po kalonin në procesin e rindërtimit dhe të themelimit të institucioneve lokale.
Kryetari Ahmeti e falënderoi z. Rogan për angazhimin dhe kontributin e tij të hershëm në formimin dhe zhvillimin e administratës komunale, duke theksuar se puna e tij ka lënë gjurmë në konsolidimin e institucioneve lokale.
“Kontributi i z. James Rogan ka qenë thelbësor në ndërtimin e strukturave të para të administratës komunale dhe në organizimin e tyre. Po ashtu, bashkëpunimi i tij me organizatat ndërkombëtare, të cilat ndihmuan në rindërtimin e fshatrave të dëmtuara gjatë luftës, është një vlerë që e kujtojmë me respekt. Në emër të qytetarëve të Lipjanit, e falënderoj për punën dhe përkushtimin e treguar në atë kohë”, tha kryetari z. Imri Ahmeti.
Ndërsa ish-administratori z. James Rogan falënderoi kryetarin Ahmeti për mikpritjen dhe për zhvillimet pozitive që ka parë në Komunën e Lipjanit.
“Është kënaqësi të rikthehem pas kaq shumë vitesh dhe të shoh një komunë të zhvilluar, me institucione funksionale dhe me një objekt të ri të administratës. Falënderoj kryetarin Ahmeti për mikpritjen dhe për angazhimin e tij në zhvillimin e mëtejshëm të Lipjanit”, ka thënë z. Rogan.
Në përmbyllje të takimit, kryetari Ahmeti i dorëzoi z. James Rogan pllakaten e Komunës së Lipjanit si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e komunës dhe të administratës lokale.