Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, z. Diamant Bytyqi, sot priti në takim një delegacion nga Shqipëria, në kuadër të vizitës së shkëmbimit të përvojave për barazinë gjinore dhe qeverisjen lokale me ndjeshmëri gjinore.
Me këtë rast, nënkryetari Bytyqi theksoi përkushtimin e Komunës së Lipjanit për avancimin e politikave gjithëpërfshirëse.
“Komuna e Lipjanit mbetet e përkushtuar në fuqizimin e grave dhe avancimin e barazisë gjinore në jetën publike dhe vendimmarrëse. Jemi ndër 17 komunat në Kosovë që kanë miratuar tashmë Planin Lokal të Veprimit për Barazinë Gjinore, proces i mbështetur nga projekti ‘Instrumenti për Barazi Gjinore’, i financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga zyra e UN Women në Kosovë”, tha nënkryetari z. Diamant Bytyqi.
Ai shtoi se këto takime janë platforma të rëndësishme për shkëmbimin e praktikave të mira me institucionet e rajonit, duke ndihmuar në forcimin e kapaciteteve për një qeverisje vendore më transparente dhe gjithëpërfshirëse.
Delegacioni nga Shqipëria përfshinte përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, si Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, si dhe bashkitë Tiranë, Elbasan, Roskovec, Lushnjë, Lezhë, Maliq, Kamëz, Divjakë, Dibër dhe Malësi e Madhe. Pjesë e takimit ishin edhe ekipet e projekteve të UN Women nga Shqipëria dhe Kosova.
Ky takim forcon bashkëpunimin drejt rritjes së shkëmbimit të përvojave mes institucioneve të të dyja vendeve dhe zhvillimin e politikave vendore më gjithëpërfshirëse.