Nënkryetari i Komunës, z. Diamant Bytyqi, ka nënshkruar marrëveshjen e grantit me znj. Mary Ann Hennessey, Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, ku Komuna e Lipjanit është përfituese për të zbatuar projektin “Forcimi i qeverisjes shumënivelëshe dhe demokracisë pjesëmarrëse”.
Projekti parashikon vendosjen e Ekranit të Qytetarit për transparencë dhe pjesëmarrje në ambientet e komunës së Lipjanit.
Ky projekt, i financuar tërësisht nga Këshilli i Evropës, është një iniciativë që synon avancimin e qeverisjes së hapur dhe promovimin e demokracisë pjesëmarrëse në nivel lokal. Poashtu mbështet aktivitetet për rritjen e transparencës, pjesëmarrjes qytetare dhe llogaridhënies në komunën tonë.
Projekti do të realizohet gjatë vitit 2025 dhe përmes tij do të mundësohet qasje e lehtë në informacione dhe do të fuqizoj rolin e qytetarëve në vendimmarrje, duke përfshirë edhe të rinjtë, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara.
Komuna e Lipjanit është e përkushtuar për të avancuar praktikat e qeverisjes së hapur dhe për të forcuar demokracinë lokale.